Zelensky i lutet Perëndimit për armë nga vija e frontit

“Kjo gjendje është tejet e vështirë tani në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë vendosur rezerva maksimale”, tha Zelensky më 19 shkurt pas një vizite te trupat ukrainase në veri të vendit

Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar përsëri se ushtria e tij po përballet me kushte “tejet të vështira” dhe mungesë municioni në vijat e frontit, pas vendimit për t’u tërhequr nga qyteti strategjik juglindor, Avdivka, për të shpëtuar jetë dhe material përballë sulmit më të fundit të furishëm rus.

“Kjo gjendje është tejet e vështirë tani në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë vendosur rezerva maksimale”, tha Zelensky më 19 shkurt pas një vizite te trupat ukrainase në veri të vendit, shkruan Rel.

“Ata po i shfrytëzojnë vonesat [e dërgimit të ndihmave] për Ukrainën”, tha Zelensky në një video mbrëmjen e së hënës, duke iu referuar lutjeve urgjente të tij për partnerët e Perëndimit për predha shtesë të artilerisë dhe armë të tjera mbrojtëse dhe sulmuese.

Zelensky e vizitoi vijën e frontit në qytetin verilindor, Kupianks, ku u takua me liderët e brigadës.

Ai e vizitoi këtë komandë vetëm pak orë pasi Rusia e mori në dorë fabrikën më të madhe të koksit në Avdivka, ku Kievi e pranoi disfatën javën e kaluar duke i tërhequr trupat nga qyteti.

Rënia e Avdivkës, dikur qytet i rreth 30.000 banorëve, por tani kryesisht i bërë rrafsh me tokën dhe shkretëtirë, në rajonin lindor të Donjeckut, shënon fitimin më të madh territorial të Rusisë në nëntë muajt e fundit prej se e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetësh.

Forcat ukrainase raportuan për sulme ruse gjatë natës së kaluar, të cilat duket se kishin për qëllim marrjen e më shumë territoreve në afërsi, si dhe ofensiva të ndara në verilindje dhe në jug të vendit.

Ndërkohë, komanda ushtarake perëndimore e Ukrainës tha të hënën se ushtria ruse kishte tentuar përsëri t’i thyejë pozicionet ukrainase në zonat përreth Zaporizhjas.

Zyrtarët lokalë raportuan për bombardime të vazhdueshme në këtë qytet më 17 shkurt, ku si pasojë mijëra shtëpi kanë mbetur pa ngrohje.

Dhe, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ruse i kryen 10 sulme në pozicione ukrainase në Robotini, në rajonin e Zaporizhjas, një ditë më vonë.

Sipas tij, këto sulme u zmbrapsën nga trupat ukrainase.

Radio Evropa e Lirë nuk mund t’i verifikojë në mënyrë të pavarur raportimet e të dyja palëve nga zonat e luftimeve të ashpra.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika