Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë informacione shtesë rreth rastit të vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova.
Përmes një njoftimi, QKUK ka treguar se 4-vjeçarja ka vdekur si pasojë e një infeksioni akut të rëndë të shkallës së lartë.
“Pacientja sjellet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore. Në Qendrën Emergjente të QKUK-së kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë)”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se ShSKUK ka kërkuar nga Spitali i Gjakovës dhe QKUK raporte të detajuara, të cilat do të shqyrtohen.
“Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024. ShSKUK ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë. ShSKUK, apelon që në publik, të mos spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme”, thuhet tutje.
Versioni i familjes për vdekjen e fëmijës
Familjarët kanë treguar versionin e tyre për vdekjen e 4-vjeçares.
Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, me ç’rast të bijën e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.
Por, të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.
Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.
“E mora qikën, filloi me kajt. I thash çka ki, më tha ma ka hi jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’më kallxoj bash mirë. Tu ardh nuk mujke me ec, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e mora në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo veç kajke”, ka thënë Hajra.
Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks.
Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.
Pas përkeqësimit të gjendjes, katërvjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK.
Por, nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.
“N’gjysmë nate m’ka thirrur doktorica me hy në sallë, ku ka qenë qika. Kom hy, kom nejt me qik dhe erdh doktorica po ma bën, oj zojë nuk e ka prej t’rrehnit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.
Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja, kishte shenja të dhunës në trup.
Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë nuk kanë thënë më shumë për rastin sesa që thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjersa nuk kanë dhënë përgjigje për intervistimin e të dyshuarve për rrahjen e të miturës.
Njësoj kanë vepruar edhe nga Prokuroria.
“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, ka thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllai i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të ndjerën, gjersa i njëjti, siç ka thënë familja, është intervistuar nga Policia e Kosovës.
Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”, pritet të hedhë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku është dërguar trupi i së ndjerës për obduksion.