Ndalimi i dinarit serb me rregulloren e BQK-së duket se është vetëm një hap drejt implementimit të Asociacionit të komunave me shumicës serbe.
Kështu deklaroi në “FIVE” të Dukagjinit, njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, i cili theksoi se çështja e dinarit po “paketohet si rezistencë”.
“Çfarë duhet të ketë vëmendje edhe t’i kushtohet rëndësi është edhe deklarata e James O’Brien, i cili tha se Serbia e ka bërë hapin e saj të madh, ka pranuar targat, ka pranuar letërnjoftimet. Dhe Kosovës tash i duhet të procedojë çështjen e Asociacionit. Edhe kjo është rreziku këtu. Ashtu siç targat edhe letërnjoftimet nuk e kanë ndalur çështjen e Asociacionit, as çështja e dinarit.
Për me tepër, e shoh si një hap drejt implementimit të Asociacionit, për shkak se bazuar në draft-statutin që kemi parë deri më tani, shihet që në Asociacion do të ketë një kanal zyrtar të financimit nga Republika e Serbisë. Që do të thotë financim i Asociacionit përmes organeve të RKS-së, në këtë rast përmes BQK-së. Pra, diçka që është një masë drejt Asociacionit, po paketohet si një rezistencë, si një kokëfortësi, si një moslëshim pe dhe d.m.th. këtu pak po na humbet filli”, ka thënë Ramadani.
Sipas Ramadanit, çështje e dinarit është një spektakël i radhës i Qeverisë.
“Përgjithësi unë këtë e shoh thjesht një spektakël të radhës për ta ruajtur imazhin e kokëfortësia, për ta ruajtur imazhin e një qeverie që nuk do të lëshojë pe dhe që nuk pranon asnjë presion nga jashtë”, ka shtuar Ramadani.