Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, ka njoftuar të premten se Washingtoni do t’i vendosë më shumë se 500 sanksione të reja kundër Rusisë.
Shtetet e Bashkuara synojnë ta rrisin trysninë ndaj Moskës në dyvjetorin e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Biden tha se do të vendosen sanksione të reja në lidhje me kufizimet në eksport ndaj gati 100 subjekteve të cilat e kanë ndihmuar Rusinë, si dhe do të ndërmarrë veprime shtesë për t’ia zvogëluar Rusisë të hyrat nga energjia.
Këto masa kanë për qëllim ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë dhe për vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny.
Navalny, një kritik i zëshëm i Kremlinit, vdiq më 16 shkurt në rrethana të dyshimta në një burg të Arktikut në veri të Rusisë. Ai po vuante një dënim të gjatë për akuza për ekstremizëm që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.
“Ato [sanksionet] do të sigurohen që Putini do ta paguajë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe për shtypjen brenda vendit”, tha Biden, raporton Reuters.
Cak i sanksioneve të së premtes janë individët e ndërlidhur me burgosjen e Navalnyt, si dhe sektori financiar dhe ai i mbrojtjes i Rusisë, baza industriale, rrjetet e prokurimit dhe shmangësit e sanksioneve nëpër shumë vende, theksoi ai.
Këto sanksione janë më të fundit nga mijëra sanksione që ShBA dhe aleatët e tyre i vendosën kundër Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.