Ahmeti Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se Kosova prej pasluftës nuk ka pasur situatë më të rëndë në dëmtimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.
Në emisionin “FIVE”, Isufi nga AAK-ja ka thënë se edhe në të kaluarën ka pasur probleme, por gjithmonë ka pasur bashkëpunim me aleatët.
“Kosova është projekt i shqiptarëve, por është po ashtu në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Kemi një shkëputje me aleatët. Kosova prej pasluftës nuk ka pasë situatë më të rëndë në dëmtimin e imazhit jashtë vendit, në kuptimin ndërkombëtar, në vënien e sanksioneve. Edhe më parë pati probleme, por kishte bashkëpunim me aleatët”, ka deklaruar Isufi.
Sipas tij, dialogu me Serbinë tani është në gjendje shumë të rëndë.
“Shihet se është një dialog i rëndë, nuk përmban temat për të cilat është zhvilluar dialogu. Marrëveshja gjithëpërfshirëse që ka ndodhur në Bruksel dhe ajo në Ohër është treguesi më i mirë se janë devijuar gjërat duke dalur në pah çështje teknike, që e komplikojnë këtë proces dhe nuk e lënë të ecë përpara. Duhet të kihet parasysh interesi i Kosovës, edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare që ka investuar në Kosovë dhe është në bashkëpunim me Kosovën”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, kishte vendosur tarifën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinës, por nuk ishin prishur raportet me aleatët.