Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se gjatë takimit me anëtarët e Komisionit për punë të Jashtme dhe Diasporë, është diskutuar për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.
Ai, në një konferencë për media, këtë takim e ka cilësuar si frytdhënës.
“Sapo pata një diskutim të shkëlqyer me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, isha i nderuar për këtë ftesë. Patëm një diskutim frytdhënës për sigurinë kombëtare. Kam vlerësimin më të lartë për rolin e Kuvendit, si një element i sistemit demokratik dhe, gjithashtu, kam respekt edhe për anëtarët e këtij Komisioni dhe punën që ata bëjnë për të mbështetur Kosovën në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare”, ka thënë Hovenier.
Ndërkaq, kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, ka thënë se gjatë këtij takimi është rikonfirmuar lidhja dhe marrëdhënia speciale me SHBA-të.
“Kishim kënaqësinë e nderin të kemi mysafir ambasadorin Hovenier. Rikonfirmuam lidhjen dhe marrëdhënien speciale me SHBA-të, rrugëtimin tonë drejt rrugës euro-atlantike. Diskutuam disa prej aspekteve të ecjes së Kosovës drejt shtetndërtimit të plotë”, ka thënë Abazi.
Ai ka theksuar se fryma e bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej.
“Në rrugëtimin tonë gjeopolitik mund të ketë çështje që diskutohen, por ato janë mes miqve dhe partnerëve. Kjo frymë bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tutje. Komisioni është platformë e hapur që të dëgjojmë këshillat dhe përvojat sidomos të ambasadorëve të SHBA-ve, të cilët kanë përvojë të jashtëzakonshme në procesin tonë unik të shtetbërjes”, shtoi Abazi.
Ndryshe, takimi i Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ishte i mbyllur për media.