Nën ceremoni të larta shtetërore ish-presidenti Bujari Nishani, është përcjellë për në banesën e fundit.
Në varrimin e tij kanë marrë pjesë liderë institucionalë nga Shqipëria dhe nga Kosova.
Ceremonia mortore në nder të ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u përmbyll me një fjalim lamtumirës nga presidenti Ilir Meta.
“Ai çmoi përulësi në komunikimin njerëzor, tipare që i mbetën të pandryshuar gjithë jetën. Si Kryetar i Shtetit, ai punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të Kushtetutës”, ka thënë Meta.
Gjatë ditës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, bëri homazhe në hollin e presidencës shqiptare në nder të ish-presidentit Nishani, pak çaste para se të nisen për në ceremoninë e varrimit.
Ndërkaq, dy qershori është shpallur ditë zie në Shqipëri, dhe me vendim të qeverisë, flamuri do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet publike, në nder të ish-kreut të shtetit.
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën e 28 majit në një spital gjerman, ku edhe po trajtohej për sëmundjen e tij.
Më 24 korrik 2012, Nishani ishte betuar në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës, ndërsa mandatin e tij e kishte përmbyllur më 24 korrik 2017.
Ndryshe, Nishani ishte presidenti i pestë i Shqipërisë pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, i cili karrierën e tij e kishte filluar më 1991 duke u anëtarësuar në Partinë Demokratike.
Në vitin 2001, ishte Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën.
Në vitin 2003, ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës nga lista e Partisë Demokratike.
Në vitin 2005, ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani ishte zgjedhur deputet në zonën elektorale 34 në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 deri në shtator 2009 ai mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm.
Ndërsa nga shtatori 2009 deri në prill të vitit 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë, për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012.