Profesori Seb Bytyqi e ka komentuar deklaratën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor në Londër, e cila i theu rregullat duke bërë deklaratë politike.
Bërnabiq e quajti Kosovën “Kosova dhe Metohija”. Ndaj kësaj deklarate pastaj reagoi kryeministri Albin Kurti.
Bytyqi, në “Five” në RTV Dukagjini, tha se nuk është hera e parë që përfaqësuesit e Serbisë e bëjnë një gjë të tillë.
“Jemi mësuar me këso lloj sjelljesh nga përfaqësuesit e Serbisë. S’e di sa ia vlen t’i komentojmë është e rëndomtë të ketë këso intervenime, sjellje, që më shumë e tregojnë mentalitetin në Beograd”, tha ai.
“Nëse ka pasur nevojë të ketë përgjigje për ndonjë akuzë, duhet të adresohet ajo, mirëpo siç thashë, duhet të kemi parasysh që në gjitha forumet ka intervenime të tilla nga Serbia, nuk duhet të jemi të befasuar”, vijoi ai.
Ai theksoi se organizimi i samiteve të ngjashme nuk do të thotë se sjell investime direkte.
“Sa i përket investimeve konkrete, nuk mendoj që ndikon shumë. Investimet e pasojnë zhvillimin në një shtet, ato nuk e paraprijnë zhvillimin… Takime të tilla nuk ndikojnë në investime, por në koordinim e diskutim të agjendave e prioriteteve që secili shtet i ka”, tha Bytyqi.