Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për protestë në raport me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, me të cilin e kthen në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të mërkurën me datë 28.02.2024 në orën 12:00, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, pranë Gjykatës së Apelit.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e ka quajtur vendimin e Gjykatës së Apelit si të paqartë dhe jo të plotë.
“Gjykata e Apelit në vendimin e saj bie pre e vetë kritikës së saj sepse nuk është e qartë dhe e plotë në vlerësimin e aktgjykimit” – thuhet në njoftim.
Tutje, vendimi i Apelit, përmes njoftimit, është quajtur si pasqyrë e problemeve të thella e sistematike të trajtimit institucional të jetës së grave.
“Ne jemi të indinjuar/a dhe të revoltuar/a me këtë vendim të Gjykatës së Apelit që pasqyron një problem më të thellë sistemi dhe neglizhimin të theksuar institucional të jetëve të grave” – thuhet në njoftim.
Gjykata e Apelit, me vendimin e publikuar më datën 23.02.2024 ka kthyer çështjen në zero, duke e rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt, me të cilin Dardan Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, kurse për ndihmë në kryerjen e vrasjes Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim.
Më datën 22.08.2021, trupi i pajetë i 18-vjeçares Marigona Osmani ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar shpejt nga aty.
Dy ditë pas ngjarjes, policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin kryesor – Dardan Krivaçën. Sipas Prokurorisë, pos Krivaçës, në vrasjen e 18-vjeçares kishte kontribuuar edhe Arbër Sejdiu.
Krivaça e Sejdiu u akuzuan për vrasjen e Marigona Osmanit, e për këto akuza u gjykuan nga Gjykata e Ferizajt.
Krivaça ishte akuzuar edhe për dhunim, kurse Sejdiu për ndihmë në kryerjen e dhunimit, por që nga këto akuza u liruan që të dy.
Drejtësisë iu deshën gati dy vjet nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit t’i japë epilog në shkallë të parë.
Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.
Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19.08.2021.
Prokuroria e Ferizajt pretendon në aktakuzë se dy të pandehurit e kanë goditur viktimën me shkop.
“Me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtë martesore, në atë mënyrë që në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty” – thuhet në aktakuzë.