Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj personit që shkaktoi aksidentin më 19 dhjetor 2023, rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Podujevë.
I pandehuri i lartcekur shkaktoi aksident trafiku me pasojë vdekjeje për tani të ndjerin A.K., si dhe lëndime të rënda trupore të dëmtuarit N.K.
Lexo më shumë: Aksident në Podujevë – Një i vdekur dhe një i lënduar
“Në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Daimler Cryesles E220” me targa vendore, në rrugën e lartcekur në drejtim të fshatit Llapashticë e Poshtme, në Podujevë, i pandehuri duke qenë i vetëdijshëm se me drejtim të kundërligjshëm të mjetit të tij mund të sjellë në rrezik jetën, integritetin trupor të ndokujt ose pasurinë, në vëllim të madh dhe me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe shpejtësinë e lejuar, ashtu që humbë kontrollin dhe kalon në shiritin që shërben për lëvizje në krahun e kundërt dhe me pjesën e parë ballore të anës së majtë të automjetit të tij e goditë automjetin e tipit “VW Golf 1HXO” me targa vendore, të cilin e drejtonte i ndjeri dhe tani i dëmtuari, derisa nga forca e madhe e goditjes automjeti i të ndjerit kthehet mbrapa në drejtim të kundërt dhe përfundon jashtë rruge, me ç ‘rast lëndime vdekjeprurëse pëson tani më i ndjeri, i cili ndërron jetë në vendin e ngjarjes ndërsa lëndime të rënda trupore pëson i dëmtuari dhe një pasagjer në veturë me të pandehurin”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të drejtimit të automjetit.