Kritiku i ndjerë i Kremlinit, Aleksei Navalny, do të varroset në një varrezë në Moskë, të premten, ka konfirmuar një zëdhënës.
Shërbimi do të kryhet në varrezën Borisovskoye, pas një ceremonie lamtumirëse që do të mbahet në distriktin Marjino.
Të martën, zëdhënësja e liderit opozitar ka thënë se ekipi ka hasur në vështirësi për të gjetur një vend për të mbajtur ceremoninë, pasi shumë kompani kanë refuzuar të përfshihen kur e kanë marrë vesh për kë bëhet fjalë.
Aleksei Navalny ka vdekur në një burg në Arktik më herët gjatë këtij muaji.
Për shumë vjet, ai ka qenë kritiku i profilit më të lartë kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
E veja e Navalnyt, Yulia, si dhe disa liderë botërorë, e kanë fajësuar direkt Putinin për vdekjen e tij.
Ekipi i Navalnyt ka dashur të organizojë ceremoninë më 29 shkurt, “mirëpo shpejt është bërë e qartë që as edhe një person përreth nuk do të mund të hapte varrin atë ditë”, ka thënë Ivan Zhdanov, drejtor i Fondacionit të Navalnyt Kundër-Korrupsionit, përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Zhdanov ka thënë se arsyeja është që Putin do të bëjë adresimin e tij vjetor po atë ditë.
“Kremlini e kupton që askush nuk do të merret me Putinin dhe adresimin e tij në ditën e dhënies së lamtumirës për Aleksein”, ka shkruar ai.
Zhdanov i ka inkurajuar njerëzit që të shkojnë herët në ceremoni “për të pasur mundësi që t’i japin lamtumirën Alekseit”./REL