Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ai vlerëson se nuk ka agjendë më të rëndësishme për qeverinë se ky samit.
“Përveç ndonjë emergjence kombëtare, jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim. Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës”, shkroi Hoti në Facebook.
Ish-kryeministri i Kosovës, Hoti thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti.
“Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, tha tutje ai.