Kabashi-Ramaj: Qeveria Kurti ka dështuar në garantimin e sigurisë kombëtare

Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë aftësie në garantimin e sigurisë kombëtare

Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj

Besa Kabashi-Ramaj nga PDK, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë vizioni dhe aftësie në garantimin e sigurisë kombëtare dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mbrojtjes.

Kabashi -Ramaj e cila njëherësh është edhe koordinatore e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, tha se kjo Qeveri ka mangësi të konsiderueshme në të kuptuarit e partneriteteve strategjike, veçanërisht me SHBA-në.

“Qeveria ka dështuar vazhdimisht të përgjigjet në mënyrë efektive ndaj provokimeve dhe kërcënimeve serbe, t’i kundërvihet luftës hibride ruse dhe t’i menaxhojë çështjet e sigurisë së brendshme, duke përfshirë integrimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare dhe përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Sipas saj, shembulli më flagrant i favorizimit të lëvizjeve populiste për planifikimin strategjik të sigurisë është ngritja e fondit vullnetar për ushtrinë me praktika të dyshimta financiare, duke anashkaluar procedurat standarde të buxhetit.

Ajo vlerësoi se hartimi i strategjisë së sigurisë kombëtare është dëmtuar rëndë nga vlerësimet e vjetruara të sigurisë, mungesa e kostimit dhe prioritizimi i dobët.

“Iniciativat legjislative si projektligji për Inteligjencën Ushtarake dhe projektligji i Këshillit të Sigurisë Kombëtare shfaq të meta të rëndësishme, duke treguar një mospërfillje të strukturave ekzistuese dhe një qasje alarmante për shpërbërjen e institucioneve tashmë ekzistuese dhe rindërtimin nga e para. PDK-ja synon të zhvillojë një platformë largpamëse të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes për 10 deri në 20 vitet e ardhshme, duke u fokusuar në vizionin, njohurinë, kompetencën dhe inovacionin, të dobishme për të gjithë qytetarët. Qëllimi ynë është të krijojmë një Republikë të Kosovës të sigurt, agjile dhe strategjikisht të pozicionuar dhe të aftë për t’iu kundërvënë kërcënimeve të reja”, ka shtuar ajo.

Ajo ka rekomanduar që të rishikohet në tërësi projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, sepse sipas saj, rrezikon t’i çmontojë strukturat ekzistuese ligjore, duke dërguar në humbjen e kujtesës institucionale dhe duke shkelur potencialisht të drejtat e punonjësve, sepse mund t’i japë kryeministrit kontroll të tepruar.

“Struktura e detajuar mund të sjellë pengesa burokratike, veçanërisht në raste emergjence. Takimet e rralla mund të pengojnë përgjigjet në kohë ndaj kërcënimeve të sigurisë. Paqartësitë ligjore mund të lindin nga dyfishimet me ligjet ekzistuese dhe shfuqizimi i ligjit të mëparshme. Mandati i kufizuar për drejtorin e Përgjithshëm mund të ndikojë negativisht në planifikimin strategjik dhe stabilitet. Sanksionet disiplinore në projektligj mund të jenë subjekt i keqpërdorimit ose aplikimit subjektiv”, ka theksuar ajo.

Sa i përket Projektligjit për Inteligjencën Ushtarake, Kabashi-Ramaj, u shpreh se deklaratës së misionit i mungon qartësia, duke çuar në konfuzion rreth objektivave të agjencisë.

“Struktura raportuese ka të meta, duke dështuar në pozicionimin e duhur të FSK-së në zinxhirin komandues. Autorizimi i përdorimit të forcës është i diskutueshëm dhe potencialisht i papërshtatshëm. Dispozitat e mbikëqyrjes brenda kufijve të vendit mund të cenojnë liritë civile. Ka dyfishime me detyrat që tashmë ka AKI. Përjashtimi i buxhetit të Operacioneve Speciale nga rregullat standarde financiare ngre shqetësime për transparencën”, ka potencuar koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së.

Kabashi-Ramaj ka deklaruar se Kosova është e qytetarëve të saj dhe si e tillë meriton një të ardhme të sigurt dhe shpresëdhënëse.

“Siguria kombëtare, një çështje jetike, është e rrezikuar nga politikat aktuale të qeverisë. Nevojitet veprim urgjent për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të sigurisë së Kosovës”, ka përfunduar ajo.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika