Kullat e familjes heroike Jashari në Prekaz të Skenderajt mbesin të rrezikuara nga shembja, kjo pasi ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga sulmi i forcave serbe ndaj tyre, objektet në kuadër të kompleksit memorial “Adem Jashari”, ende nuk janë konservuar.
Në emisionin “Kallxo Përnime” po flitet për dështimin për menaxhimin e kompleksit “Adem Jashari”.
Në mars të vitit 2019 ishte themeluar komiteti ndërministror për realizimin e projektit për konservimin e kompleksit memorial “Adem Jashari” pas miratimit të Ligjit për këtë kompleks, në fund të 2018-s.
Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ka ekzistuar një frikë te të gjithë akterët se mos po bëhet ndonjë projekt “shkel e shko”.
“A me vazhdu me atë projekt që ka qenë apo me pritë derisa kompania e cila e merr menaxhimin e projektit, ta bëjë një të ri. Fatkeqësisht, ra ajo qeveri, erdh qeveria tjetër, që u deshën procedurat prapë prej fillimi, por edhe kjo tjetra qeveri s’mundi të bëjë asgjë konkrete. Kjo qeveria tjetër Kurti morën vendime konkrete u caktuan ekspertët për ta bërë detyrën projektuese, u caktu komisioni i ekspertëve” – tha Zogaj.
Zogaj ka shpjeguar se pas kësaj, filluan procedurat tenderuese për master planin, që sipas projektit, kompleksi “Adem Jashari” ndahet në tri zona.
“Janë 450 hektarë si pjesë e kompleksit, zona e parë janë varrezat, kullat, muzeu ku ka me qenë deri te bunkeri, pjesa tjetër peisazh dhe pjesa tjetër, fabrika e municionit. Në bazë të detyrës projektuese do të jenë një projekt i jashtëzakonshëm, ndërsa nëse kërkojna fajtorin, është e vërtetë se të gjitha nga pak jemi fajtorë”- tha tutje Zogaj.