Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris, tha se një armëpushim gjashtë-javor do të nxirrte pengjet izraelitë dhe do të merrte një sasi të konsiderueshme ndihme në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.
Zëvendëspresidentja tha se Izraeli duhet të rrisë fluksin e ndihmës për të lehtësuar ato që ajo i përshkroi si kushte “çnjerëzore” dhe një “katastrofë humanitare”.
Megjithëse një delegacion i Hamasit është në Egjipt për bisedimet e fundit të armëpushimit, Izraeli thuhet se i ka bojkotuar ato.
Mediat izraelite thonë se kjo është për shkak se kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ka marrë një përgjigje nga Hamasi për dy pyetje – një listë të pengjeve që janë gjallë dhe numrin e të burgosurve palestinezë që Hamasi dëshiron të lirohet në këmbim të secilit peng.
Harris do të takohet të martën me politikanin e lartë izraelit Benny Gantz, i cili gjithashtu do të ketë bisedime në Uashington me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe anëtarët republikanë dhe demokratë të Kongresit.
Të shtunën, SHBA hodhi ndihma në Gaza pasi dhjetëra palestinezë që nxitonin të merrnin ushqim nga kamionët u vranë të enjten e kaluar.
Duke folur të dielën në Selma, Alabama, Harris tha: “Njerëzit në Gaza po vdesin nga uria. Kushtet janë çnjerëzore dhe njerëzimi ynë i përbashkët na detyron të veprojmë.
“Qeveria izraelite duhet të bëjë më shumë për të rritur ndjeshëm rrjedhën e ndihmës. Nuk ka justifikime.”