“Pa të kaluarën nuk ka të ardhme”, kështu ka thënë Shemsedin Dreshaj, deputet i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës(AAK), për kriteret ndaj pensionistëve kontributdhënës, që sipas tij, janë diskriminuese.
I ftuar në emisionin “Five”, Dreshaj ka thënë se duhet të krenohemi me ata që shkojnë në pension, për kontributin që kanë dhënë në ndërtimin e vendit.
Sipas tij, duhet që të largohet kriteri diskriminues, i cili parasheh që pensionistët t’i kenë 15 vjet përvojë pune para luftës.
“Dua të ju them që është e pandershme që të punosh 14 vite e 11 muaj para vitit 1999, dhe të llogaritet sikurse nuk ke japur kontribut fare”, ka thënë ai.
Sipas tij, vërehet një neglizhencë dhe diskriminim në kriteret ndaj pensionistëve kontributdhënës.
“Këto grupe të pensionistëve, janë të margjinalizuara, pasi që një pjesë e tyre kanë vdekur, pjesa tjetër që do të dalin në pension nuk e meritojnë këtë pension, ato fonde janë plaçkitur nga okupuesi serb, atëherë cka pritet këtu, që të gjithë janë zero, ky ligj është diskriminues”, ka thënë Dreshaj.
Sipas Dreshajt, nuk bën ndonjë diferencë se kush është në pushtet e kush do të vijë në të ardhmen, sepse siç thotë ai, mundi që është bërë me vite nuk duhet të neglizhohet.
“Brenda 60 dite ky ligj do të vijë në kuvend, unë shpresoj që të gjithë ne që jemi deputetë, të kthehemi nga ata që na kanë sjellë në kuvend, t’i kthehemi popullit”, ka shtuar Dreshaj.
Ndërsa, sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti, ai ka thënë se ato janë para të kursyera për ditë të zeza, të cilat nuk duhet të preken, por siç thotë ai “pasi dora e Qeverisë nuk po vërehet, në këtë krizë që po kalon vendi edhe unë e mbështes iniciativën e PDK-së për tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional”.
Sipas Dreshajt, nëse Qeveria do të kishte bërë hapat që do të duhej të bëheshin në menaxhimin e krizës, sikur tregu të ishte stabil dhe sikur shporta e qytetarit të ishte e mbrojtur, atëherë nuk do të kishte nevojë të tërheqen mjeteve nga Trusti.
Ndërkaq, më 31 maj, AAK-ja përmes një konference për media, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë një nismë ligjore për heqjen e diskriminimit për pensionistët kontributdhënës, sepse sipas tyre, mosnjohja e stazhit të punës është një padrejtësi për pensionistët.