Pas pranimit të informacionit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë duke parandaluar 5 automjete që ishin në përgatitje për gara.
“Me datë 02/03/2024 rreth orës 22:20 patrullat policore Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugorë në Prizren, bazuar në informacionin e pranuar për dyshimin për organizimin e garave të shpejtësisë në afërsi të hyrjes së autostradës Prizren-veri, kanë intervenuar dhe kanë hasur pesë automjete të cilat ishin duke u përgatitur për gara të shpejtësisë,” shkruhet në njoftim.
Sipas njoftimit të policisë, ngasësit së bashku me vetura janë shoqëruar deri në stacionin policor të trafikut, dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar, ndaj ngasësve janë shqiptuar gjoba për kundërvajtje dhe më pas janë liruar.
Policia e Kosovës i cilëson si aktivitete të rrezikshme dhe tutje në njoftim shkruhet se nuk do të tolerohen.
“Organizimi i garave të shpejtësisë është një aktivitetet i rrezikshëm dhe i jashtëligjshëm, andaj Policia e Kosovës nuk do t’i tolerojë dhe do të veprojë kundër organizatorëve dhe pjesëmarrësve sa herë që të ka informacion për organizim të tillë.”