Po shkojmë drejt fillimit të organizimit “Super Bowl”, që sjell kënaqësi për shumicën e fansave të sportit. Por, jo për të gjithë, e posaçërisht jo për Steven Delaney-n. Ai nuk ka në plan ta shikojë lojën e madhe. Shikimi i sporteve të çfarëdo lloji, mund ta kthejë prapa përsëri, thotë Kurt Streeter, gazetar sportiv në “New York Times“.
“Iu qëndroj larg të gjithave”, tha javën e kaluar, 37 vjeçari Delaney, i cili është dhe shofer kamioni.
“Nuk flas për sport. Nuk lexoj për sport. Nuk dua të di për skuadrat në Super Bowl. Është rrezik që nuk jam gati ta marrë përsipër”.
“Mund të humbas gjithçka”, shtoi ai.
Delaney, lufton me varësinë. Bastet në sport përpak sa nuk ia shkatërruan jetën. Ai është i vetmuar.
Duke iu referuar Keith Whyte, drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar për Problemet me Bastet, afërsisht dy përqind e amerikanëve, apo diku 6.6 milionë njerëz vuajnë nga varësia e lojës me baste sportive. Në numër ky gjithnjë e në rritje.
Gjithçka filloi kur në vitin 2018, Gjykata Supreme hodhi poshtë një ligj federal të vitit 1992, i cili limitonte lojërat e fatit kryesisht në Nevada.
Tani, rreth 30 shtete duke përfshirë Distriktin e Kolumbisë dhe Puerto Rico-s, lejojnë lojën me baste fizikisht dhe online. Kjo nënkupton se rreth 30% e amerikanëve mund të vendosin baste legalisht për lojën Super Bowl. Në nëntor, banorët e Kalifornisë do të votojnë për lejimin apo jo të basteve sportive.
“Lojërat e fatit në sporte janë “endemike,, të pranueshme dhe të zakonshme saqë tani, është shtylla kryesore e argëtimit amerikan”, tha Timothy Fong, një nga drejtorët e programit të studimeve për lojërat e fatit në U.C.L.A.
“Pyetja”, vazhdoi ai, “është se çfarë ndikimi do të ketë kjo në shëndetin mendor, në shëndetin tonë publik?”
“Shumë prej nesh, vendosim pak para, zbavitemi dhe largohemi të padëmtuar. Por, kështu nuk bëjnë të gjithë”
Javën e kaluar takova shumë njerëz të moshave të vjetra deri në 82 vjeç dhe atyre të reja deri në 17 vjeç, që po rikuperoheshin kundër varësisë së lojërave të fatit. Aty dëgjova histori të tmerrshme. Më treguan për ndarjet e familjeve, punët e humbura, dëbimet nga shtëpitë. Folën për arrestime, burgje, dhe vetëvrasje. Dëgjova se sa e rrezikshme është kjo kohë kur përfundon sezoni i futbollit të kolegjeve, të gjitha paratë me të cilat luajnë në lojërat e Super Bowl, mund të shtohen apo me gjasë do të humben.
Delaney, nuk do t’i shikojë. “Jo, pas gjithë atyre gjërave që kam kaluar”, tha ai.
Delaney, ishte një ish-tifoz i Jets, i cili dikur kishte një platformë online, në të cilën, diskutonte për ekipin që favorizonte. Ai e filloi fantazinë e tij për të luajtur lojëra të fatit në vitin 2007, fillimisht duke luajtur kundër miqëve të tij. Atij iu kthye në obsesion në vitin 2019. “Ishte gjithçka e çasshme përmes telefonit tim”, tha ai. “Fillova të luaj vazhdimisht. Fitoja pesë mijë dollarë dhe thosha “Tash e di se çfarë jam duke bërë”. Pastaj fillova të luaja me shuma edhe më të mëdha. I humbja të gjitha dhe filloja të luaja që t’i kthej përsëri”
“Dukej sikur i kisha dy njerëz në trurin tim. Tash e kuptoj që ishte varësia që mundohej të luftonte kundër atij që isha në të vërtetë. Ndalesha, dhe i thoja vetes: “Duhet t’i kthej përsëri paratë e humbura. Duhet të kthehem përsëri në zero, para se gruaja dhe familja ime ta kuptojnë”.
Në fillim e kishte të lehtë ta fshehte varësinë e tij. Delaney tha se gruaja e tij, Kelly, mund të ulejë në krah të tij, por, nuk mund ta vërente se ai po i vinte në lojë paratë e familjes së tij.
Lojën e fundit e bëri me 2 maj të vitit 2021. Kelly e kapi atë, pasi e lexoi një email që fliste për llogarinë e tij në një kazino. “Ndjeva një lirim”, tha ai. Isha lodhur duke gënjyer dhe duke u bërë se gjithçka ishte në rregull”, tha ai në mënyrë anonime në një këshill, në të cilin flitej për lojërat e fatit.
Tash ai ka një platformë të re të quajtur “Fantazi apo Realitet?” The G.P.P”. (shkurtesë për problemet me varësinë ndaj basteve), e cila fokusohet t’i ndihmojë lojtarët e varur që ta kthejnë jetën e tyre si më parë.
Si arritëm në një pikë në të cilën bastet e vëna në sport u bën kaq joshëse e kaq gjithëpërfshirëse?
Duket se sa herë që e ndezim televizionin, ose shikojmë në internet, na pushtojnë reklamat që i promovojnë bastet sportive dhe kazinot online.
Reklamat promocionale për bastet sportive tani janë pika përforcuese për mbajtjen e të drejtave televizive, me reklamat e tyre që shfaqen gjatë pauzave të lojëve, të lexuara direkt nga analistët.
Reklamat e kazinove shihen në çdo cep të stadiumeve të mëdha. Mund të vihen baste brenda stadiumeve në Arizona dhe në disa shtete tjera, madje disa vende kanë shitur të drejtat e tyre të emrit tek bastet sportive.
Kjo është shumë larg nga qëndrimi kundër lojërave të fatit të cilin qëndrim e kanë mbajtur ligat e mëdha të sportit për dekada të tëra. Futbolli, basketbolli dhe besjbolli u larguan nga bota e lojërave të fatit, pjesërisht nga frika që lojtarët e tyre mund të fillojnë të luajnë për të fituar apo për t’i larë borxhet e tyre dhe kështu, shfaqet rreziku për shitjen e lojëve.
Në vitin 1976, Pete Rozelle, komisioneri i N.F.L., tha këtë: “Bixhozi i legalizuar në ngjarje sportive është shkatërrues për vetë sportet dhe në afat të gjatë dëmtues për publikun”.
Në vitin 2012, komisioneri i N.F.L-së, Roger Goodell, tha këtë: “Është një pikëpamje e fortë në N.F.L- ka qenë për dekada, që kërcënimi se lojërat e fatit mund të ndikojnë në N.F.L, ose shitja e lojëve ose ndonjë ndikim nga jashtë, mund ta dëmtojnë shumë N.F.L-në, dhe do të jetë shumë e vështirë të rikuperohet kjo”.
Në vitin 2015, ai ende po e këndonte melodinë “Ne i kundërshtojme lojërat e fatit. Nuk planifikojmë ta ndryshojmë këtë në të ardhmen”.
Hipokritët, tani, ligat sportive dhe kompanitë e medias ecin në hap me kazinotë, deri në bankë me partneritete miliona dollarëshe.
E vërteta e hidhur e varësisë, mjegullohet nga reklamat e zjarrta dhe marrëdhëniet komprometuese, megjithëkëtë mbikëqyrja federale është plotësisht inekzistente.
Mendoni për këtë. Pas shumë vitesh padish dhe hetimesh të konsumatorëve që treguan se industria e duhanit, po bënte gjithçka që t’i bënte të varur njerëzit me një produkt vdekjeprurës, Administrata e Ushqimit dhe Barërave, kufizoi reklamat e cigareve: Reklama e fundit e Marlboro Man, u transmetua në vitin 1999.
Nuk mund ta blesh një paketë cigare nëse e njëjta nuk lajmëron se pirja e duhanit mund të çojë në sëmundjen e kancerit, sëmundje të mushkërive, diabet dhe sëmundje tjera të tmerrshme.
Por, nëse e shikoni këtë javë organizimin e Super Bowl, bëhuni gati të gëlltitni pandërprerë reklama sikurse në një karneval. Ata do të ju tregojnë se si mund të vini bast për çdo gjë. Ata do të promovojnë baste të ashtuquajtura të parrezikshme, të cilat në të vërtetë nuk janë aspak pa rrezik.
Ka një kosto. Mund të jetë shkatërruese.