“Armët e juaja, këtë mos e harroni asnjëherë, janë vazhdimësi e armëve më të pastërta në Ballkan dhe më gjerë. Armët e paraardhësve nuk u ndotën asnjëherë me gjakun e civilëve, ato shënjestruan vetëm uniformën e pushtuesve. Arma e shqiptarit, si arma më e pastër në Ballkan, shkrepi vetëm në emër të mbrojtjes së shtetit dhe kombit, vetëm në emër të lirisë”.
Kështu iu drejtua djali i komandantit legjendar Adem Jashari, Lulzim Jashari, pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ceremoninë e Manifestimit “Epopeja e UÇK-së dhe Ditët e Kazermës “Adem Jashari” që po mbahet në Prishtinë.
Ai ka thënë se shqiptarit nuk i ka munguar asnjëherë guximi, por në mungesë ishte gjithëherë municioni.
“Arma jonë kryesore kanë qenë zemra dhe e drejta, shqiptarit nuk i ka munguar guximi, por municioni. Prandaj jemi mësuar të qëllojmë cakun, sepse na duhej të kursenim plumbat”, është shprehur Jashari.
Mes të tjerash, Jashari u ka thënë këtyre pjesëtarëve që ata kanë një traditë të pasur, duke filluar nga luftëtarët e Skënderbeut e deri tek ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Të dashur ushtarë, ju keni një traditë të pasur dhe të pastër, traditën e luftëtarëve të Skënderbeut, të luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, të luftëtarëve që shpallën Shqipërinë të pavarur, luftëtarëve të UÇK-së…duhet të jeni shumë krenarë që mbani mbi supe këtë traditë”, ka shtuar ai.
Tutje, Jashari ka theksuar nëntorin dhe marsin, si dy muajt kur populli shqiptar kthehet pas për të rikujtuar traditën dhe rrjedhën e historisë shqiptare.
“Nëntori dhe marsi janë muaj kur ne më shumë se herave tjera kthehemi prapa për të parë traditën tonë, por dhe për të vlerësuar të tashmen dhe vlerësuar të ardhmen”, ka potencuar ndër të tjerash, Lulzim Jashari.
Kujtojmë që më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë.