Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në ditën e dytë të Epopesë së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë homazhe në Prekaz.
Datat 5,6 dhe 7 mars thotë Krasniqi se shënojnë kthesën më të madhe në historinë e kombit.
Ai thotë se është obligim që të kujtohet e nderohet sakrifica e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jasharin.
“Sa herë që jemi në Prekazin legjendar, në këtë vend ku i ka rrënjët liria e Kosovës, padyshim që kemi emocione. E sidomos gjatë ‘Epopesë së UÇK-së’, gjatë Epopesë se familjes Jashari, sepse këto janë datat të cilat shënojnë kthesën më të madhe në historinë e kombit tonë, sepse ato kur ndodhën më 1998 jo vetëm që zgjuan vetëdijen tonë kombëtare, por ato për herë të parë morën vëmendjen ndërkombëtare, gjëqë ndihmoi në masivizimin e luftës çlirimtare të UÇK-së, në kryengritjen e përgjithshme popullore që rezultoi me çlirimin tonë e më vonë me ndërtimin e shtetit që kemi, andaj e kemi obligim jo vetëm ta kujtojmë me krenari nder e respekt gjithmonë sakrificën titanike të familjes Jashari, por edhe të frymëzohemi gjithmonë nga kjo sakrificë e lavdishme për të bërë punë të mira për vendin tonë dhe qytetarët tonë”, u shpreh Krasniqi.