Për pacientët në mbarë botën vazhdojnë mungesat në furnizimin me ilaçe, edhe pasi rifilloi të funksionojë siç duhet zinxhiri i furnizimit pas dëmit të pësuar nga pandemia COVID-19. Senati amerikan po kërkon një zgjidhje, ndërkohë që një organizatë jofitimprurëse ofron ndihmën e saj për të gjetur ilaçet që mungojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti na sjell historinë e një gruaje që vështirësohet të gjejë ilaçet që i nevojiten.
Toni Dezomits po shijon një moment të rrallë qetësie. Ajo përgjithësisht bën shëtitje në pyje, vetëm pak muaj pas përpjekjeve për t’i mbijetuar një vale të dytë kanceri në vezore. Por zonja Dezomits ka luftuar edhe në beteja të një tjetër lloji.
Ajo ka qenë shefe policie në qytetin Cary, të Karolinës së Veriut, si dhe ushtarake në operacionin e ndërhyrjes në Irak, “Desert Storm”.
“Njësia ime ishte batalioni special 528”, thotë Dezomits.
Tashmë, vendi për të cilin ajo luftoi, nuk i jep dot doktoreshës së saj ilaçet që nevojiten për kurimin.
“Erdhi disi e trazuar dhe më tha se ‘kam lajme vërtet të këqija. Nesër nuk do ta kemi dot ilaçin karboplatinë‘”, tregon Dezomits për doktoreshën.
Dezomits nuk është e vetmja. Universiteti në Jutah zbuloi se mungesat e ilaçeve në Shtetet e Bashkuara arritën në nivel rekord vitin e kaluar, me 309 ilaçe që mezi gjenden.
Pjesa më e madhe e tyre janë ilaçe të përgjithshme, jo shumë të kushtueshme, si karboplatina.
Laura Bray themeloi në Florida organizatën jofitimprurëse “Engjëjt për Ndryshimin”, që punon për t’i dhënë fund këtyre mungesave në treg. Ajo gjeti karboplatinën që i nevojitet Dezomits. Kjo organizatë furnizon spitale të tëra, në mënyrë që administratorët mos të vendosen përpara vendimeve të vështira për pacientët.
“Drejtuesi i blerjeve, kryefarmacisti dhe kryemjeku, së bashku me një zyrtar për etikën, hapin dosjet dhe vendosin ‘Kush do ta marrë këtë ilaç, dhe kush jo’. Kjo është aktualisht strategjia në Shtetet e Bashkuara ndaj mungesave në treg”, thotë Bray.
Situata ka tërhequr vëmendjen e Kongresit.
“Nuk mundeshim të trajtonim 90% të pacientëve sipas programit të parashikuar me ilaçet”, thotë Dr. Stephen Schleicher, kryemjek onkolog në klinikën “Tennessee Oncology”.
Ekspertët fajësojnë kostot e ulëta për mungesat në treg. Ata thonë se një ilaç që merret në rrugë intravenoze ka nevojë për një proces të zgjatur testimi dhe prodhimi. Duhen protokolle të sakta për prodhimin dhe miratim nga agjencia rregullatore FDA (Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet). Në vazhdim, tregu e ul çmimin nën koston e një shisheje uji.
“Këto çmime të ulura pakësojnë motivimin dhe kapacitetet e prodhuesve për të investuar tek cilësia, apo për fabrika të reja. Kjo e zhvendos prodhimin drejt vendeve të tjera”, thotë Alan Coukell, zëvendës president i organizatës jofitimprurëse “Civica Rx”.
Vendi kryesor është India, nga ku FDA-ja ka bllokuar disa prej importeve për shkak të problemeve të cilësisë, si dhe Kina, që është një vend kryesor për furnizimin e ilaçeve në Shtetet e Bashkuara.
“Mund të kemi pacientë, pacientë të kancerit apo të pediatrisë, si dhe pacientë të tjerë, që nuk kanë ilaçet që iu duhen, pasi një vend i caktuar na e bllokon qasjen tek këto ilaçe. Ne nuk mbështetemi tek vendet e tjera për të prodhuar plumbat kur luftojmë, në veçanti tek armiqtë tanë të betuar”, tha Dr. Stephen Schondelmeyer nga Kolegji i Farmaceutikës, në Universitetin e Minesotës.
Xavier Becerra, sekretar i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, departamenti i qeverisë amerikane që mbulon aspektin e ilaçeve me recetë, bisedoi për këtë me Zërin e Amerikës. Ai u pyet nëse mbështet prodhimin në vend dhe se si mund të arrihet kjo nga pikëpamja ekonomike.
“Absolutisht. Dhe presidenti ka qenë shumë i qartë për këtë. Aty ku mundemi, duhet ta bëjmë prodhimin brenda vendit”, tha sekretari Becerra.
Ai gjithashtu u pyet nëse mbështet rritjen e çmimit të këtyre ilaçeve të zakonshme.
“Mbështesim shqyrtimin e të gjitha opsioneve të mundshme. Pasi siç thashë, tregu nuk funksionon siç duhet për këto ilaçe”, tha ai.
Sekretari Becerra thotë se agjencia e tij po bën të pamundurën, derisa Kongresi të autorizojë rritjen e kompetencave të saj.
Kompetencat e rritura mund të parashikojnë për shembull ofrimin e stimujve për kompanitë prodhuese për të ndihmuar në plotësimin e hendekut.
Kanceri i Dezomits po tërhiqet tashmë, pasi ajo mori karboplatinën, ilaçin jetik që vazhdon të mungojë në treg. /VoA