Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Naim Smajli, i akuzuar për vrasjen e djalit të tij E.S., duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim.
Aktgjykimi ndaj Smajlit u shpall të premten nga gjykatësja Alltën Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Smajli akuzohej se ka vrarë djalin e tij E.S., në vitin 2022 në fshatin Bajçinë të Podujevës, për çështje pronësore.
Gjykatësja Murseli tha se për veprën penale “Vrasje e rëndë”, Smajli dënohet me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje dy vjet burgim.
Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 25 vjet burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.
Po ashtu, gjykatësja theksoi se konfiskohet arma e zjarrit me të cilën është kryer vepra.
I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Smajli.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.
I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.
Me këto veprime, Smajli akuzohej nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Naim Smajli nga data e pacaktuar e deri më 13 qershor 2022, ka mbajtur në e armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ngarkohej se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.