Lista Serbe ka dënuar “insinuatat dhe akuzat e rreme” ndaj këtij subjekti politik lidhur me djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq më 8 mars.
Nënkryetarja e Zveçanit, Natasha Tomaniq, akuzoi Listën Serbe lidhur me djegien e lokalit në pronësi të saj.
Lista Serbe hodhi dyshime për motivin e zjarrit në lokalin në pronësi të Tomaniqit, duke thënë se ka paralajmërime se në atë vend do të ndërtohet një lokal edhe më i madh “me njerëzit nga jugu dhe me paratë e Prishtinës, pa leje, dhe kushedi se për çfarë qëllimi dhe për këtë Lista Serbe fajësohet politikisht”.
“Interesante se si Natasha Tomaniq, sikurse shefi i saj, Albin Kurti, dinë shkakun e zjarrit para se të kryhet ndonjë hetim dhe të dalin rezultatet nga shërbimet profesionale”, tha Lista Serbe përmes një reagimi në Facebook.
Tomaniq deklaroi për Dukagjinin se dyshon që motivi i zjarrvënies është se ajo ka ndihmuar serbët në veri të Kosovës të punësohen në institucionet e Kosovës.
Ajo theksoi se aktivitetet e saj “nuk përshtaten” me Listën Serbe.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi “elementet kriminale” në Zveçan për këtë ngjarje.
“Ky duket të jetë ‘urimi’ i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhon”, shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.