Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka thënë se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencoi se pritet që në fillim të muajit maj të përfundojnë renovimet e kësaj klinike

Ilir Kurtishi, doktor i Klinikës së Onkologjisë
Mbi 300 raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind.
Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë te gratë, te burrat është ai i mushkërive.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, ka thënë se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencoi se pritet që në fillim të muajit maj të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.

Kurtishi ka përmendur disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e rasteve me këtë sëmundje malinje, duke përfshirë ata gjenetikë, të ambientit të jashtëm, moshën e gjininë.

“Këtë vit në muajin janar kemi regjistruar 150 raste dhe në muajin shkurt rreth 170, pra mbi 310 raste janë për dy muaj. Që në krahasim me vitin 2023 dy muajt e parë, kemi gati për rreth 10-12 për qind më shumë dhe ky trend vazhdon të jetë i lartë, njëjtë sikurse vitin e kaluar. Pasi që në vitin 2023 shënuam një numër të lartë të rasteve të reja, për herë të parë në Kosovë, mbi 2 mijë persona. Pra, kemi regjistruar në vitin 2023, 2 mijë e 130 persona, ndërsa në vitin 2022 kanë qenë të regjistruar ose të identifikuar dhe të trajtuar në Klinikën e Onkologjisë si raste të reja rreth 1 mijë e 750 persona. Bëhet fjalë për tumoret te të rriturit dhe jo për tumoret e fëmijëve dhe jo për tumorët hematologjikë që trajtohen nga dy klinikat e tjera. Forma më e shpeshtë e këtyre sëmundjeve është kanceri i gjirit që dominon te femrat dhe në përgjithësi është tumori më i shpeshtë, ndërkaq te meshkujt dominon kanceri i mushkërive, kurse menjëherë pas këtyre dy formave të kacereve, prijnë tumoret e zorrës trashë”, ka thënë Kurtishi.

Ai ka treguar se gjatë muajit prill ose në fillim të muajit maj pritet që të përfundojnë punimet në Klinikën e Onkologjisë, duke thënë se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

“Klinika e Onkologjisë, sipas punë kryesit i cili është duke bërë një punë të jashtëzakonshme, ajo do të përfundojë para afatit të paraparë dhe mendojmë që prilli, ose fillimi i majit, aspekti infrastrukturor të jetë i gatshëm dhe të pajisim edhe me inventar. Dhe klinika të jetë një klinikë e vogël, por shumë moderne dhe me kapacitete të zgjeruara dhe do të kemi dyfishim të numrit të shtretërve. Së paku 90 pacientë do të jenë në gjendje të marrin në të njëjtën kohë terapinë, që do ta lehtësojnë shumë punën e infermierëve dhe do të jetë një shpërndarje më e mirë e ilaçeve, një komoditet më i madh për pacientët. Ajo që do t’i shtohet klinikës është digjitalizimi i shërbimeve në klinikë dhe ne do të kemi informata të sakta mbi secilin aktivitet që bëhet në klinikë, secili shërbim që ne e ofrojmë dhe ndoshta shumë shpejt, këtë vit, ose vitin e ardhshëm do të bëjmë edhe përgatitjen më të sofistikuar të ilaçeve, të citostatikëve e cila do ta rriste në maksimum sigurinë e ilaçit, dozimit”, shprehet Kurtishi.

Për Kurtishin shqetësues mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avancuara të sëmundjes.

Ai shtoi se faktorët gjenetikë, ata të ambientit të jashtëm, mosha, gjinia e të tjera ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të reja me kancer.

“Sëmundja është multifaktoriale dhe ndikojnë faktorë të ndryshëm. Duke filluar nga faktorët e ambientit të jashtëm dhe faktorët gjenetikë që i kemi dhe i trashëgojmë nga prindërit tanë. Përpos faktorëve gjenetikë, me impakt është mosha dhe gjinia, ndërkaq, te faktorët e ambientit të jashtëm ndotësit e ndryshëm të ambientit të jashtëm ose kontaminimi ose ndotja atmosferës, pastaj abuzimi me duhan, substanca të tjera, me alkool e kështu me radhë. Ajo që na shqetëson neve akoma është se megjithatë gjejmë sëmundjen në stade të avancuara në mbi 50 për qind të rasteve që lajmërohen në klinikë për herë të parë”, theksoi ai.

Renovimi i Klinikës së Onkologjisë ka filluar në fund të muajit tetor të vitit 2023. Tani pacientët mund të marrin shërbimet onkologjike brenda objektit të Mjekësisë Sportive./KSP

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika