Ambasadori gjerman tregon se pse Kosova nuk po anëtarësohet në Këshill të Evropës

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka kritikuar Kosovën për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Ai, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se pa respektuar vendimet e gjykatës, Kosova s’mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Kosova është i vetmi shtet që nuk është anëtar në Evropë, edhe pse disa shtete rishtazi janë larguar, por se dallimi i vetëm ka të bëjë me mënyrën më të mirë se si të arrihet ky synim sa më shpejt që është e mundur dhe ne kemi thënë publikisht që Këshilli i Evropës është organizatë e sundimit të ligjit dhe moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës suaj të Lartë është shkelje e qartë e sundimit të ligjit dhe jo mënyra më e mirë për ta arritur këtë synim sa më shpejt që është e mundur” – tha Rodhe.

“Kosova është shtet demokratik dhe në një shtet demokratik ju keni një garantues të kushtetutës e që është Gjykata Kushtetuese, dhe kjo gjykatë ka nxjerrë një vendim të plotfuqishëm dhe nëse doni të bëheni anëtarë të Këshillit dhe paraprakisht nuk silleni si duhet kjo nuk është receta për t’u bërë anëtar” – tha tutje ajo.

Ai shtoi se “Koha ka ardhur që të keni një situatë ku të gjitha palët, Prishtina, Deçani dhe Strasburgu do të jenë fitues, dhe kjo na tregon të gjitha, bëni atë tash dhe pastaj mund të merrni numër të konsiderueshëm të votave për t’u bërë anëtar i Këshillit”.

Sipas ambasadorit, nëse Kosova nuk e kalon Asamblenë Parlamentare, kjo nuk është shenjë e mirë për marrjen e një vendimi të shpejtë.

“.. më lejoni të përsëris se dëshirojmë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, sepse ka një simpati shumë të madhe për Kosovën që ajo të bëhet anëtare, por tani është në dorën e Kosovës ta bëjë pjesën e saj në rrugën për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe s’dua t’i përsëris thirrjet e të gjitha organizatave ndërkombëtare apo qeverive, por se Deçani është një rast që duhet të kryhet” – tha ambasadori gjerman në Kosovë.

Ai foli edhe për qëndrimin e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka thënë se nuk do ta respektojnë asnjëherë këtë vendim.

“Nuk dua të futem në debatin nëse kryetari i komunës ka të drejtë, çdo qytetar dhe çdo kryetar i Kosovës ka të drejtë mendimi apo kritike, por në çdo shtet demokratik vendimet e gjykatës duhet të zbatohen dhe kjo është e tërë, kjo është res judicata, diçka e përfunduar, çfarë politikanët thonë apo nuk thonë s’ka rëndësi, por nëse vendimet e gjykatës nuk zbatohen, kjo e minon autoritetin e gjykatës dhe mund t’i keni të gjitha mendimet e mundshme për atë nëse gjykata kishte të drejtë apo ishte e korruptuar, gjithashtu kishim diskutime të ngjashme në Gjermani kur në vitin 1994 Gjykata Kushtetuese vendosi që të gjitha shpronësimet e Stalinit gjatë periudhës 1945-1949 nuk mund të prekeshin, ishin miliona hektarë në Gjermaninë lindore, jo 24 hektarë por miliona hektarë dhe shumë njerëz nuk e mirëpritën vendimin e gjykatës por se vendimi u aprovua dhe zbatua. Këtu përfundon tregimi”- tha ndër të tjerash ai.

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur për kthimin e 24 hektarëve tokë, Manastirit të Deçanit.

Kërkesë e njëjtë me të ambasadorit gjerman, është bërë edhe nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, më 23.01.2024.

Këtë vit bëhen dy vjet që kur Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

U themelua më 1949 dhe mbron lirinë e shprehjes dhe të medieve, barazinë dhe të drejtat e minoriteteve në vendet anëtare.

Organizata ndihmon vende të ndryshme në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit dhe në zbatimin e reformave të nevojshme gjyqësore./Kallxo.com 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika