I erdhi fundi edhe pritjes dymujore.
Pas tri raundeve të dështuara për propozimin e një kandidati për president të Republikës së Shqipërisë nga opozita, mazhoranca ka vendosur që ta marrë këtë çështje në dorë.
Pasditen e së premtes në orën 17:00 në selinë e Partisë Socialiste mblidhet Kryesia me qëllimin e dakordësimit për një “emër presidenti”.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, PS-ja do të bëjë publik emrin që do ta dërgojë në Kuvend për votim.
“Nuk duhet përjashtuar asnjë prej gjinive – me rëndësi të kemi president që të mishërojë më së miri vlerat e larta të integritetit publik dhe ato që përcakton Kushtetuta, i ndryshëm nga Ilir Meta”.
Kanë qenë këto kërkesat e përsëritura nga ana e PS-së teksa u drejtohej deputetëve, të cilët patën të drejtën për të propozuar tre emrat e tyre të preferuar.
Të gjithë deputetët e selisë rozë në një mbledhje të Grupit Parlamentar shënuan në formular propozimet e tyre.
Kriteri bazë – ashtu siç e parashikon edhe Kushtetuta – ishte që kandidati duhet të jetë mbi moshën 40 vjeç dhe të jetë rezident në Shqipëri në 10 vjetët e fundit.
Ndonëse emrat u shkruajtën dhe u dorëzuan në fshehtësi të plotë, mediat aluduan për figura të ndryshme të politikës, por jo vetëm.
Emrat e lakuar
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nuk është përjashtuar asnjëherë nga “lista e mundshme e kandidatëve”.
Kodheli u vendos e 21-ta në listën e kandidatëve të Tiranës në zgjedhjet e 2021-shit duke mos fituar, por lënia e mandatit nga Najada Çomo e riktheu atë në parlament.
Kandidatura e saj mund të mbetet vetëm një emër në media, pasi shpesh kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se emri nuk do të vijë nga grupi që ai drejton.
Edhe emri i ish-ministres demokrate të Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, nuk ka mbetur pas.
Bregu, e cila aktualisht është sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, është lakuar shpesh si “presidentja e ardhshme e Shqipërisë”.
Balla, vetëm një ditë më parë shprehu vlerësim tejet pozitiv për Bregun, duke theksuar se ndjente keqardhje që opozita nuk e propozoi.
Ndërkaq, ai nuk komentoi nëse e përjashton mundësinë e kandidimit të Bregut nga vetë PS-ja.
Një kandiaturë tjetër politike mund të jetë edhe Ditmir Bushati.
Një pjesë e strukturës së forcës së majtë politike dëshiron që në këtë post të vendoset ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Pra, vetëm një pjesë e vogël e tyre e kanë propozuar si emër konkret ish-deputetin.
Pjesa tjetër, ndërkaq, e cila përbën edhe shumicën, është kundër këtij mendimi, mbi kandidaturën e Bushatit për postin e kreut të shtetit.
Ndërkohë, në listën e të përfolurve ka pasur edhe figura jopolitike, ku spikasin emrat e Përparim Kalos dhe Ardian Dvoranit.
Ky i fundit ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë.
Ai madje është shpallur nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) si një nga 12 personalitetet më të spikatura në luftën kundër korrupsionit.
Edhe figura e Përparim Kalos vjen nga fusha e drejtësisë.
Emri i tij u lakua kohë më parë, kur u tha se Dhoma Italiane e Tregtisë i kishte dërguar një letër Kuvendit me emrin e tij si kandidat.
Ish-kryeprokurorja, Ina Rama, ish-sekretarja e rinisë, Valdete Sala, kryediplomati shqiptar, Zef Mazi, përfaqësuesja e Shqipërisë në Unesco, Besiana Kadare edhe ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha “ia kanë dalë” që të lakohen përciptazi në listën e emrave për president.
Por do të jetë vetë Kryesia e cila do të përcaktojë të premten kandidaturën finale për të cilën do të votohet.
Siç ka paralajmëruart kryeministri Edi Rama, “zgjidhja është një njeri që përmbush detyrimet e shqiptarëve dhe për ta çliruar zyrën nga kthetrat e së shkuarës”.