Gjatë ditës së enjte, Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
“Falënderim i veçantë për dialogun e shkëlqyer strategjik, që po zhvillohet sot në Washington nën patronazhin e State Department. Partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve hyn në një fazë të re, më dinamike, të miqësisë, ndërkaq raportet bilaterale vendosen në një kornizë të re, më precize për zhvillimin e tyre të mëtejmë”, ka shkruar në Facebook, Osmani.
Pleasure to meet @SecBlinken in Washington
👉 #StrategicDialogue as a new milestone in our relations & upgrade of 🇲🇰🇺🇸 strategic partnership
👉 gratitude for t/ overall #US support on our 🇪🇺 path
👉 as @NATO allies we strongly support 🇺🇦 & call 🇷🇺 to cease its military actions pic.twitter.com/Y1fIdUhPff— Bujar Osmani (@Bujar_O) June 2, 2022
E për këtë takim të Osmanit me Blinken në ShBA, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
“Maqedonia e Veriut diskuton partneritetin strategjik me ShBA. Kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin. E përgëzoj Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut për këtë arritje”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndërkaq, sipas Hotit, Qeveria e Kosovës po e neglizhon Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që është e natyrës së partneritetit strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.
Ai ka renditur një mori pyetjesh në lidhje me këtë marrëveshje, ku njëra ndër to është që pse po neglizhohet zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-ShBA për Investime, e nënshkruar më 31 dhjetor 2020 nga Qeveria Hoti.
Ndër të tjera, ai ka pyetur edhe për pse është shtyer për më shumë se një vit marrëveshja me MCC për energji, ku përfshihej rrjeti i gazit dhe bateritë për ruajtje të energjisë.
Hoti ka thënë se në ditët në vijim do t’i publikojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria Hoti me ShBA në vitin 2020, të cilat po neglizhohen si dhe pasojat për Kosovën
Ndryshe, Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, të martën e 31 majit ka udhëtuar për në Uashington.
Arsyeja e këtij udhëtimi, sipas tij, ishte udhëheqja e delegacionit qeveritar në Dialogun Strategjik mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA).
Ndërkaq, Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor, i cili do të zhvillojë Dialog Strategjik me ShBA për çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Ai kishte thënë se fokusi i vizitës në Uashington do të jetë thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe krijimi i shtigjeve të reja për bashkëpunim në të ardhmen.