Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorët e shteteve të Quint-it, me të cilët ka diskutuar për situatën aktuale në vend.
Ambasadorët kanë qëndruar edhe në qeveri për takim me kryeministrin Albin Kurti, shkruan RTK.
Por, ambasadorët e pesëshes më të fuqishme ndërkombëtare (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani e Itali), nuk janë deklaruar për media.
Gjatë javës është paralajmëruar vizita e emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, në Kosovë, për të diskutuar për dialogun dhe për çështjen e dinarit.
Që nga 10 marsi e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi.
Escobar pritet t’i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars.
Ai ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë do të ketë në fokus një “zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin, si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.