Çdo tetë orë, janë ndërruar ekipet, ndërrimi i tretë po e vazhdon punën por ende nuk po arrinë të përfundojë betejën me zjarrin.
Tymi i zi vazhdon të dalë nga Parku i Biznesit në Drenas, shkrumb e hi është bërë pothuajse gjithçka në dy objektet e kompanisë së përpunimit të plastikës
As pas 27 orëve punë, zjarrfikësit, nuk kanë arritur ta lokalizojnë plotësisht vatrën e zjarrit. Zona mbetet e mbyllur për qarkullim, ndërsa Policia e Kosovës po e siguron perimetrin.
Përkundër vështirësive, Shefi i Zjarrfikësve në Drenas beson se gjatë ditës do të kenë sukses.
“Ne jemi duke e përdorur si materie të dëshirueshme për shuarje ujin, kemi përdorur edhe shkumë, rreziku mund të them është i madhe nëse hyjmë brenda në objekt për shkak se është, dëmtuar objekti në masë të madhe, ka llastrat “llamarinë” që mundet me na ra poshtë”, ka thënë Afrim Gjeli.
Sa është vlera e dëmit ende nuk dihet, por përfaqësuesit e institucioneve zotohen se me aq sa kanë mundësi do t’i dalin në ndihmë kompanisë.
“KIESA përmes ministrisë së Industrisë, mbetet në dispozicion në qoftë se merret ndonjë vendim në nivel të vendit, ose në ndonjë institucion përkatës do ta mbështesim, dhe do të jemi të gatshëm brenda kuadrit ligjor aq sa jemi të lejuar dhe të mundshëm, ne do të jemi në mbështetje të bizneseve dhe në veçanti të biznesit në fjalë i cili është mjaft i vështirë për ta”, ka thënë Zef Dedaj, kryeshef i KIESA, ministria e Industrisë.
Për shkaqet që e shkaktuan zjarrin ende nuk ka ndonjë raport zyrtar. Ajo çka dihet është se kompania ka rreth 60 punëtorë dhe merret me përpunimin e plastikës. Gjatë së hënës zjarrfikësve në ndihmë i kanë dalë edhe ekipet e KFOR-it.