“Ne do të vazhdojmë t’i zbatojmë standardet më të larta për një gjykim të drejtë dhe do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me aleatët, në veçanti me ShBA-të, që kufiri ynë të jetë i sigurt dhe që të parandalojmë sulme të tilla”.
Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Osmani ka thënë se ky bashkëpunim me aleatët e vendit është akoma më i fortë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Basnjkë të Zveçanit, derisa ka theksuar se kryesit e këtij akti agresioni duhet të mbahen të përgjegjshëm.
“Për këtë sulm agresioni duhet të ketë përgjegjësi. Serbia duhet të ekstradojë të gjithë ata q֝ë ishin pjesë e planifikimit, organizimit dhe financimit të këtij akti agresioni ndaj Kosovës”, ka thënë tutje e para e vendit.
Osmani ka shtuar se bashkëpunimi me aleatët duhet të jetë bosht i veprimeve të Republikës së Kosovës.
“Puna jonë e përbashkët me Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës, si një ndër përpjekjet tona pa kompromis për sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shtuar ndër të tjerash Osmani.