Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Qeverinë e Kosovës qëndrimet e tyre me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkojnë gati 100 për qind.
Ky deklarim i Stanos vije një ditë pas deklarimit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se ShBA-të kanë problem në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Domethënë, partnerët tanë e vlerësojnë situatën ashtu siç e shohin të arsyeshme. Mund të them vetëm në përgjithësi se kur është fjala për Kosovën dhe sjelljen e administratës aktuale në Prishtinë, pikëpamjet tona me partnerët tanë amerikanë përkojnë pothuajse 100%”, ka thënë Stano, në një konferencë për media.
Gjithashtu, Escobar-i ka theksuar se raportet ndërshtetërore tejkalojnë ato të një njeriu apo partie, duke shtuar se me Kurtin të njëjtin problem e kanë edhe shtetet partnere të Kosovës.
“Partneriteti mes SHBA-së dhe qytetarëve nuk shkon përmes një njeriu apo partie, por do të thosha se tani kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Ky nuk është problem që kanë vetëm SHBA-të, ka edhe BE-ja, NATO-ja, Britania e Madhe, dhe shtete tjera si Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Duam kthimin e marrëdhënieve në binarët që kanë qenë më parë”, ka deklaruar ai.