Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në rezidencën e ambasadorit Hovenier ka zhvilluar një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës,” shkruan Krasniqi.
Ai është shprehur se kanë shkëmbyer qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin.
Sipas tij, Kosova çdo sukses e ka arritur së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik.”