Dhjetëra qytetarë kanë mbajtur një protestë në Prishtinë të enjten, duke kërkuar siguri dhe drejtësi për gratë dhe vajzat, pas dyshimeve se një vajzë e mitur u dhunua ditë më parë.
Protestuesit u tubuan në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke mbajtur pankarta me shkrimin “Siguri për gratë”, “Poshtë patriarkati”, “Gra, revoltohuni” dhe “Drejtësi për gratë”.
Organizimi i protestës u bë nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Në të njëjtën kohë, Gjykata Themelore në Pejë konfirmoi të mërkurën se dy persona janë ndaluar dhe janë nën hetim për dyshimet e dhunimit të një vajze 13-vjeçare në Drenas.
Ata janë caktuar të qëndrojnë në paraburgim për një muaj.
Policia e Kosovës kishte njoftuar në raportin 24-orësh më 11 mars se ishte duke e hetuar një rast të cilin e cilësoi si “zhdukje e një viktime femër kosovare”.
“Raportohet se viktima femër kosovare kishte dalë nga shtëpia dhe se nuk dihet për lokacionin e saj. Me datë 11.03.2024, rreth orës 00:50, njësitet e hetuesi ka lokalizuar viktimën, e cila ishte e shoqëruar nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar”, thuhej në raport.