Policia e Kosovës, të premten ka njoftuar se njësia policore e Task Forcës, gjatë patrullimit ka ndaluar një furgon në Viti, i cili ishte duke transportuar 800 kilogramë(kg) duhan të papërpunuar, që dyshohet të jetë i kontrabanduar.
Sipas njoftimit të Policisë, Njësia policore e Task Forcës, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje, gjatë patrullimit ka arritur ta vërejë dhe ta ndalojë një kombi (furgon), i cili duke shfrytëzuar rrugët malore nga fshati Tanushë-Maqedoni e Veriut, duke kaluar përmes fshatit Mjak, ishte nisur në drejtim të Vitisë.
“Kështu, sot me datë 03.06.2022, rreth orës 10:00, edhe përkundër tentativës për t’iu shmangur patrullës policore, automjeti është ndaluar në fshatin Ramjan të Vitisë.
Automjeti i ndaluar, me targa vendore dhe i drejtuar nga: S.I., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar) ishte duke bërë transport të mallit që dyshohet të jetë i kontrabanduar. Gjatë kontrollit të automjetit transportues është hasur në rreth 800 kg (36 paketime) duhan të papërpunuar”, thuhet në njoftim.
Rasti është duke u trajtuar nga zyrtarë policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar.
Automjeti me mallin e ngarkuar do të dorëzohet në terminalin doganor te Dogana e Kosovës.