Analisti Imer Mushkolaj, për vendimin mbi Manastirin e Deçanit, ka thënë se nga viti 2016 kjo çështje është përdorur për poena politikë.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se VV-ja kishte organizuar protesta për vendimin e Kushtetueses për manastirin, këtu Mushkolaj i është kundërpërgjigjur, duke thënë se edhe aktivistë e asamblistë të AAK-së kanë marrë pjesë në protesta të organizuara nga shoqëria civile.
Mushkolaj, në “Debat Plus“, ka thënë se vendimi i Kushtetueses duhet të zbatohet, por, sipas tij, gjithmonë duke mos i përjashtuar pakënaqësitë që mund t’i kemi.
“Ky rast është edhe një mësim sesi përgjegjësitë që i ka marrë Kosova si shtet, deshtëm apo nuk deshtëm, kanë qenë të gabuara apo jo, ato duhet të zbatohen. Vetë AAK-ja, VV-ja, Nisma kanë protestuar kundër Asociacionit me vite të tëra…Tash dëgjoj më shumë propaganda politike sesa fakte dhe prova”, ka thënë Mushkolaj.