Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Gjini, në “Debat Plus”, tha se asnjëherë s’ka ndodhur që ShBA-ja ta gënjejë Kosovën, derisa shtoi se pothuajse të gjitha njohjet janë sjellë nga vetë ShBA-ja.
“Ende nuk na ka gënjy Amerika. S’na kanë gënjy kurrë. S’na ka dalë asgjë ndryshe se çfarë na është thënë. Normal që nuk mundet me thënë Amerika që nëse e bën këtë hyn në NATO. Nuk është korrekte, sepse NATO merr vendim. Kjo është arsyeja pse askush nga amerikanët nuk thonë ne të fusim në NATO. Amerika e ka zërin kryesor, por secili vend ka të drejtë të vetos… Krejt çka kemi marrë njohje ose 90% ka qenë punë e amerikanëve, britanikëve, gjermanëve e francezëve. Ata kanë punu për ne, edhe tash punojnë për ne ”, tha ai.
Sipas tij, qeveria nuk duhet të tregohet kaq mosbesuese ndaj vendit i cili e ka bombarduar Serbinë dhe ka kontribuuar për shtetndërtimin e Kosovës.
“Fakti që shfaqim shumë mosbesim, diçka që na ka ndodhë që 25 vjet, është pakës fyes. Nuk guxojmë të jemi kaq mosbesues ndaj një vendi që i ka çu aeroplanët dhe e ka bombardu Serbinë për ne. Na ka sjellë krejt njohjet dhe pavarësinë. Edhe sot i thotë Serbisë po shpresoj që s’e bëni atë gabim më se bëheni si ushtari që e ka gju plumbin e fundit”, tha ai.