Nol Nushi, anëtari i Partisë Socialdemokrate, ka theksuar se vendimi i Qeverisë për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit është si pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe planit franko-gjerman.
Ky vendim, sipas tij, është zbatim i marrëveshjes me Serbinë.
Duke iu përgjigjur kritikave për këtë veprim, ai ka potencuar se është pjesë e strategjisë së Qeverisë për t’i përballuar sfidat e integrimit në organizata ndërkombëtare.
“Nëse e shohim strategjinë e Kurtit prej opozitës e deri te këto tri vite pushtet, është njëra taktike rezistence e vazhdueshme karshi vendimeve, por të cilat në fund përfundojnë duke i bërë të gjitha ato vendime, të cilat po i reziston, por përshtypja në popull po duket që është se ky megjithatë bëri më të mirën, këtë nuk mundemi me e pa ndryshe përveç plan i Kurtit, sepse integrimi në organizata ndërkombëtare si është Këshilli i Evropës, është pjesë po ashtu e planit franko-gjerman e marrëveshjes së Ohrit dhe sigurisht sekuencat e ndryshme brenda këtij rrugëtimi herë duken fitore e herë humbje të Kosovës, por të gjitha janë pjesë e këtij plani, andaj nuk kemi si e shohim ndryshe përpos si vazhdim i zbatimit të marrëveshjes ndërkombëtare të dialogut”, ka deklaruar Nushi.
E nëse Kosova mund të përfitojë diçka nga ky vendim, Nushi ka thënë se nuk ka garanci.
Sipas tij, do të ketë edhe kushte të tjera për anëtarësim në këtë organizatë.
“Premtimi është që futesh në Këshillin e Evropës, por ne kemi parë shpesh e herët të fundit që Kurti në marrëdhëniet me këta që na ndihmojnë të futesh në Këshill nuk i ka aq të mira dhe jam i bindur se do ketë kushte tjera e Kurti do t’i zbatoj duke thënë që s’pata çare, e këtë nuk duhet me lejua ne, sepse argumenti s’pata çare kanë qenë tjerët, e ky nuk mundet me qeverisë me argumente të qeverive të kaluara, ky që pretendon se është politikan i së ardhmes”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka komentuar vizitën e të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, duke e interpretuar si një sinjal të qartë për rregulloren e re të BQK-së për dinarin serb.
“Vizita është shumë e qartë konkrete, e koncentruar në çështjen e dinarit si taktikë destabilizuese e dialogut që prehu në besë miqtë apo partnerët e Kosovës. Escobar ka takuar të gjithë akterët relevantë të këtij procesi e të fundit e ka lërë Kurtin, mirëpo porosia është e qartë, Kurti duhet t’i bëjë të gjitha ato që është zotuar, po i gënjen qytetarët kur po thotë se s’ka pranuar marrëveshje e edhe ndërkombëtarët kur po ua pranon në tavolinë marrëveshjet e pastaj po u shkakton probleme në zbatimin e saj”, ka deklaruar Nushi, transmeton Ekonomia Online.
Megjithatë, ai shpreh shqetësimin se kjo çështje po e ndryshon raportin e Kosovës me partnerët e saj, duke theksuar se prishja e marrëdhënieve nuk duhet të shkaktohet nga çështjet teknike si dinari, por të zgjidhen nëpërmjet bashkëpunimit.