I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes (VV).
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, emisari teksa u pyet se si ndihet për “refuzimet” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është hera e parë që ka zhgënjim.
Ai ka theksuar se zhgënjimi nuk është vetëm në Washington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris.
“Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, ka deklaruar Escobar.
Teksa ka theksuar se ShBA-ja do të jetë gjithmonë mike e ngushtë e Kosovës, nuk ka mohuar se do të ketë dallime me individë dhe me qeveri individuale.
“Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane po bëjmë gjithçka që mundemi për ta riparuar këtë marrëdhënie”, ka vijuar Escobar.