Policia e Kosovës ka arrestuar një person të premten në fshatin Shakovicë të Podujevës nën dyshimin për përfshirje në falsifikim parash.
Sipas njoftimit, i dyshuari kishte ofruar për shitje policisë 5 mijë copë nga 2 euro.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, më 15.03.2024 kanë zbatuar Urdhëresën për ‘Masa të fshehta hetimore’, përkatësisht ‘Blerja e simuluar e artikujve, shërbimeve ose sendeve’” – thuhet në njoftim.
I dyshuari sipas policisë, 10 mijë euro false, nga 2 euro, synonte t’i shiste për 6 mijë euro.
“Gjatë zbatimit të urdhëresës, në fshatin Shakovicë të Podujevës, i dyshuari A.A., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar), gjatë realizimit të masave të fshehta të hetimit nga hetuesit policorë, ka ofruar për shitje 5000 copë monedha nga 2 euro (5000×2=10000). I dyshuari këtu monedha synonte t’i shiste për 6 mijë euro” thuhet tutje në njoftim.
I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Ndërkaq me aktvendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.