Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar qeverinë duke thënë se konfrontimet e tyre me aleatët janë diçka e re që nuk është parë në 25 vitet e pasluftës.
Sipas Çitakut, Kosova po udhëhiqet nga një kastë aventurierësh teksa e ka quajtur qeverinë “të papërgjegjshme, pa ide e pa vizion”.
“Në një kohë kur bota po përballet me turbulenca të mëdha, Kosova po udhëhiqet nga një kastë aventurierësh. Në kohën kur qytetarët tanë kanë nevojë për stabilitet e parashikueshmëri, Kosova ka në krye një qeveri të papërgjegjshme, pa ide e pa vizion. Konfrontimet e hapura tashmë me aleatët tanë na kanë sjellë në një teren tërësisht të pashkelur nga ne tash e 25 vite”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo e quajti qeverinë “pa projekte konkrete e pa vizion, si në planin e brendshëm, si në politikën e jashtme” teksa ka kërkuar zgjedhje parlamentare, pasi, siç thotë ajo “Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Kurtit”.