Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova është duke përjetuar një tronditje ekonomike, sipas tij, shkak i “shembjes” së bizneseve.
Tahiri i është drejtuar Qeverisë duke u thënë “Qeveri, vepro ose shko”.
“Me qindra biznese të vogla gjithandej Kosovës, duke përfshirë dyqane, biznese të vogla të shitjes, kafiteri, restorante janë duke u mbyllur për shkak të mungesës së konsumit”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka thënë se informatat e para të tremujorit të parë të vitit 2024 rreth qarkullimit të bizneseve që operojnë në Kosovë janë “alarmante”.
“Me mbylljen e bizneseve do të shkojmë drejt rritjes së papunësisë në Kosovë që ndikon në rritjen e varfërisë dhe në uljen e nivelit të jetesës për qytetarët. Ekonomia përbën shtyllën kryesore të funksionimit të jetës në një shoqëri normale. Kjo Qeveri me retorikën e vet të luftës, me konfliktin e hapur me bashkësinë ndërkombëtare duke e mbajtur Kosovën nën sanksione, dhe duke mos pasur asnjë investim të huaj të mirëfilltë në vend, është duke e bankrotuar Kosovën”, ka shkruar tutje ai.