Drejtori i Institutit Pedagogjik, Ismet Potera, ka shprehur shqetësimin e tij rreth mbikëqyrjes së mësimdhënësve në ligjëratat e tyre, duke thënë se në disa shkolla, në orët e historisë ligjërohet për fenë islame.
“Një numër i madh i mësimdhënësve në lëndën e historisë apo edhe të tjera, më shumë flasin për fenë se sa për lëndën mësimore, ka sa të duash fakte, shko në ora 12 edhe e shikoni vet” – tha tutje Potera në emisionin “KallxoPernime”, në të cilin u diskutua për “Dezinformimin në shkolla”.
Për sa i përket kësaj, ka folur edhe Lindita Tahiri, profesoreshë universitare e komunikimit masiv dhe analizës së diskursit.
Ajo tha se edhe në Universitetin e Prishtinës ka raste kur në ora 12:00 (kohën e namazit të drekës, xhumasë), nuk gjendet askush në mësim.
“Dhuna nda gruas është shtuar dukshëm kohëve të fundit, por ne duhet ta analizojmë pse, mund të jetë kriza shoqërore, krizë arsimore por mund të jetë edhe fanatizëm fetar, dmth duhet folur për këtë. Madje edhe në UP ka raste nganjëherë që në 12 nuk ka mësim, edhe ministria s’duhet ti mbyll sytë edhe të mos e deklaroj publikisht se ne po harrojmë që shkolla jonë është laike, i ka disa vija të kuqe që s’mund ti tejkalojmë” – tha Tahiri.
Drejtori i Institutit Pedagogjik, Ismet Potera, ka thenë se mungon komunikimi shkollë-familje.
“Është shumë i mangët ky komunikim, ky kominikim nuk duhet të bëhet për Tik Toka e për rrjetet sociale, por për çfarë note mori, si ishte në këtë lëndë e çfarë duhet bërë për ta përmirësuar notën. Por funksioni pedagogjik i shkollës është që edhe të ndikoj edhe te prindi, të organizoj takime me ta në mënyrë profesionale, të bisedojnë mësimdhënësit me prindër sepse jo të gjithë prindërit e kanë dijen apo aftësinë se si ti qasen një fëmiju adoleshent, për shkak të mungesës së komunikimit prindër-fëmijë, na lindin edhe ato fshehjet e fëmijëve” – tha Potera.
Në fund të vitit 2023, BIRN Kosova ka publikuar hulumtimin “Vorbulla e rrenave” në të cilin është ardhur në përfundim se mediat, institucionet, dhe shoqëria civile po përballen me sfida serioze në adresimin efikas të dezinformimit. Në Kosovë nuk ka një vizion të qartë dhe qasje strategjike për luftimin e këtij fenomeni. Rrjedhimisht, dezinformimi ka ndikim të konsiderueshëm në opinionin public në Kosovë.
Institucionet e Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të themelojnë mekanizma që monitorojnë shpërndarjen e dezinformimit, ndërsa institucionet gjyqësore nuk janë marrë me raste të tilla. Sfida kryesore është mungesa e programeve të edukimit për median dhe mungesa e kapacitetit të sistemit arsimor për ta ofruar këtë. Rrjedhimisht, shoqëria kosovare mbetet e pambrojtur nga dezinformimi edhe pse të dhënat tregojnë se dezinformimi ka ndikim serioz në opinionin publik.
Përveç analizës së artikujve të rremë, hulumtimi ka bërë një sondazh për të vlerësuar opinionin publik dhe përceptimin rreth dezinformimit. Sondazhi përfshiu një mostër prej 1,056 qytetarëve. Gjetjet e këtij sondazhi tregojnë pasojat e dezinformimit të qytetarëve të Kosovës, duke zbuluar se një përqindje e mirë e popullsisë e ka vështirë për të bërë dallimin mes informacionit të saktë dhe të rremë duke i munguar kështu njohuria e nevojshme për ta identifikuar dezinformatën. Rrjedhimisht, raporti nënvizon rëndësinë e edukimit për media dhe kultivimit të aftësive të mendimit kritik si mjete esenciale në luftën ndaj dezinformimit. Shumica e këtyre qytetarëve janë përdorues të platformave të rrjeteve sociale, sidomos Facebook-ut, i cili shërben si kanal primar për shpërndarjen e dezinformatave. Të dhënat e grumbulluara theksojnë më tej se prodhuesit e përmbajtjeve të tilla përdorin teknika të ndryshme, përfshirë manipulimin e videove, fotografive dhe përmbajtjes së shkruar.
Situata është po aq sfiduese për institucionet publike dhe vendim-marrësit që merren me dezinformimin. Me qëllim që të vlerësohet njohuria dhe aftësitë e zyrtarëve publikë rreth dezinformimit, BIRN ka zhvilluar një eksperiment social i cili përfshiu 50 pjesëmarrës nga profesione të ndryshme si mësues, mjekë, gjykatës dhe prokurorë. Gjatë eksperimentit, gazetarët e BIRN u prezantuan pjesëmarrësve artikuj të kompletuar me logo dhe dizajne të vërteta. Artikujt përmbanin informacione të pavërteta të cilat ishin lehtë të identifikueshme për profesionin respektiv të respodentëve dhe shumica e pjesëmarrësve i ranguan artikujt si të vërtetë dhe shprehën vullnetin për t’i shpërndarë, pa e verifikuar informacionin. Janë rreth 200 zyrtarë që punojnë në zyret e informimit publik në institucionet e Kosovës. Bazuar në fokus-grupet e bëra me përfaqësues të këtyre departamenteve, është arritur në përfundim se këtyre zyrtarëve u mungon njohuria adekuate në dezinformim, përfshirë edhe atë se si të identifikohet dhe si të adresohet dezinformata.