Borrell: Do të vazhdojmë presionin mbi Kosovën e Serbinë për zbatimin e marrëveshjes

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka vlerësuar se pas një viti nga Marrëveshja e Ohrit, progresi në zbatim nga të dyja palët është i kufizuar, duke shtuar se BE-ja do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimi i marrëdhënieve

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia kanë bërë progres të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Pas një viti nga arritja e kësaj marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, Borrell ka theksuar se, ndryshe nga pritjet, zbatimi i marrëveshjes nuk është bërë.

Borrell ka shtuar se BE-ja do të vazhdojë të bëjë presion mbi Kosovën dhe Serbinë për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve.

“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha fluturon dhe tashmë ka kaluar një vit nga arritja e Marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për të lëvizur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, pavarësisht mbështetjes së fuqishme të BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar, Serbia e Kosova kanë bërë progres të kufizuar. Së shpejti do të ketë një takim të kryenegociatorëve në Bruksel, dhe më vjen shumë keq që kjo Marrëveshje, që ishte mjaft e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar por do të vazhdojmë të bëjmë presion tek dy palët për të lëvizur përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë siç kam pritur se do të jetë”, ka deklaruar Borrell, para fillimit të takimit të ministrave te Këshilli i Punëve të Jashtme.

Një vit nga Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

Tashmë kanë kaluar 365 ditë që kur Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në Ohër, për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian kishte publikuar planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë akuzuar vazhdimisht palët në dialogun Kosovë-Serbi se nuk janë përkushtuar sa duhet për zbatimin e marrëveshjeve.

Ndryshe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej 1 shkurtit, kur nisi të zbatohet një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar dinarin serb.

Më 19 mars, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq pritet të takohen në Bruksel, ku do të diskutohet edhe çështja e dinarit serb.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika