Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se ka autorizuar ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai gjithashtu ka njoftuar se kontrata me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është shkëputur përfundimisht, për shkak të mungesës së mirënjohjes dhe korrektësisë në komunikim.
“Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe me qenë se kemi qenë shumë korret dhe gjeneroz, dhe me qenë se ata kanë pasuar me jo mirënjohje dhe jo korrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot ne mëngjes Ministria ka marr vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontratën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë Peci, në një intervistë për Ekonomia Online.
Ministri Peci ka përmendur deklaratat e zyrtarëve të AAK-së, duke i cilësuar si kërcënim të hapur.
“E para unë kam thënë që shihemi të hënën për shkak se kishte kaluar afati kohor dhe thjeshtë ka qenë edhe vendimi i imi dhe sugjerim i imi për pjesën e ekzekutivit për të shkëputur këtë kontratë. Ai është një komunikimi i një tradite në Dukagjin, mendoj që është kërcenim i hapur. Por sido që të jetë për të gjithë ata që përçojnë mesazhe të tilla dhe që mendoj që kuptimin e kanë forcën ose guximin të ballafaqimit vandal, unë kam guximin intelektual edhe guximin me ndjek interesin publik të qytetarëve dhe të institucioneve”, është shprehur ai.
Në lidhje me veprimet për lirimin e objekteve nën menaxhimin e Ministrisë së Bujqësisë, Peci ka theksuar se kjo kishte vetëm një qëllim: sistemimin e hapësirave për zyrtarët e Ministrisë, për të përballur nevojat e tyre të rritura për hapësira pune.