Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka theksuar se mënyra e hyrjes së Kosovës në bisedime me Serbinë në vitin 2011 ishte një gabim i madh.
“Duhet ta pranojmë se kur ka hyrë në bisedime Kosova me Serbinë në vitin 2011, kam qenë ndër kundërshtarët e parë. Ka qenë gabimi më i madh, dhe gabimi i parë bazik që ka ndodh pra për mënyrën qysh ka hyrë Kosova në bisedime me Serbinë, ishte mënyrë katastrofale”, ka thënë Tërmkolli në emisionin Rreth e Rrotull.
Ajo gjithashtu ka kritikuar mënyrën se si janë marrë disa vendime në dialogun Kosovë-Serbi, duke i cilësuar ato si “vendime të gabueshme”.
Ajo ka thënë se Qeveria është munduar t’i shesë fuqi Amerikës, dhe kjo sipas saj, është qesharake në sytë e botës.
“Çështja e vendimeve tash, janë marrë vendime të gabueshme, por një vendim i gabueshëm nuk mundësh me zgjidh duke gabuar dyfish më shumë, janë mënyrë që njihen në diplomaci. Me i shit na fuqi Amerikës është tejet qesharake në sytë e botës, por për neve është dëm i madh”, ka shtuar ajo.