Presidentja, Vjosa Osmani, ka kërkuar trajtim të barabartë të palëve në dialog, duke theksuar se Serbia vazhdimisht ka shkelur nenet e Marrëveshjes së Ohrit – e dakorduar një vit më parë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mes të kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi.
Këto deklarime Osmani i ka bërë nga një konferencë e përbashkët me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti.
“Është e qartë se cila është pala që i shkel marrëveshjet”, ka theksuar Osmani.
“Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje që qartë i kërkon të mos shkel integritetin territorial të Kosovës, që ta njeh subjektivitetin ndërkombëtar, mos të votoj kundër Kosovës për anëtarësi në organizata ndërkombëtare, mos të përdorë dhunë në relacionet shtetërore e shumë e shumë të tjera”, ka thënë Osmani.
Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin
E, lidhur me propozimet që emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ia kishte paraqitur kryeministrit për çështjen e dinarit serb, Osmani ka thënë se deri më tani ka pajtim për një pjesë të propozimit.
“Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit nga ajo që jam informuar por nuk ka pajtim për një pjesë tjetër. Është shumë pozitive që komuniteti ndërkombëtarë në krye me SHBA-të pajtohen që të mos ketë qarkullim të dinarit në Kosovë, dhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje edhe ajo ndihëm financiare që vjen nga Serbia pra tash e tutje të arrijë në euro dhe jo në dinarë dhe kjo zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, Escobar kishte deklaruar javën e kaluar se kryeministri Kurti, i ka refuzuar propozimet e tij.
Escobar, ka theksuar se kishte kërkuar nga Kurti, të pezullojë vendimin për të lejuar kohën për një zgjidhje më afatgjatë. Megjithatë, sipas tij, kjo kërkesë nuk ishte pranuar.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar se edhe Kosova edhe Serbia kanë bërë progres të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Borrell ka theksuar se, ndryshe nga pritjet, zbatimi i marrëveshjes nuk është bërë, duke shtuar se, BE-ja do të vazhdojë të bëjë presion mbi Kosovën dhe Serbinë për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve.
“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha fluturon dhe tashmë ka kaluar një vit nga arritja e Marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për të lëvizur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, pavarësisht mbështetjes së fuqishme të BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar, Serbia e Kosova kanë bërë progres të kufizuar. Së shpejti do të ketë një takim të kryenegociatorëve në Bruksel, dhe më vjen shumë keq që kjo Marrëveshje, që ishte mjaft e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar por do të vazhdojmë të bëjmë presion tek dy palët për të lëvizur përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë siç kam pritur se do të jetë”, ka deklaruar Borrell.