Udhëheqësi i Hamasit, Marwan Issa, ka vdekur në një sulm ajror izraelit, kështu ka thënë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Si zëvendëskomandant ushtarak, Issa do të ishte udhëheqësi më i lartë i Hamasit që ka vdekur që nga fillimi i luftës më 7 tetor.
Grupi palestinez, i cili kontrollon Gazën, nuk i ka komentuar zyrtarisht raportet për vdekjen e tij, raporton BBC.
Burimet e mediave izraelite kanë raportuar se Issa u vra në një sulm në një kompleks tuneli nën kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza qendrore javën e kaluar.
Zëvendëskomandanti i krahut ushtarak të Hamasit – Brigadat Izzedine al-Qassam, konsiderohej një nga njerëzit më të kërkuar të Izraelit. Bashkimi Evropian, i cili e vendosi liderin e Hamasit në listën e tij të zezë terroriste, e lidhi atë drejtpërdrejt me sulmin e 7 tetorit të udhëhequr nga grupi që vrau rreth 1200 njerëz.
Ai ishte burgosur nga Izraeli për pesë vjet gjatë intifadës së parë palestineze, ose kryengritjes dhe ishte ndaluar nga Autoriteti Palestinez në 1997 deri në fillimin e intifadës së dytë në 2000.
Ushtria izraelite ka vrarë një numër udhëheqësish të lartë të Hamasit që nga 7 tetori. Lideri politik i Hamasit, Saleh al-Arouri, vdiq në një shpërthim në periferinë jugore të Bejrutit, Dahiyeh. Izraeli konsiderohet gjerësisht përgjegjës për atë sulm.
Sullivan, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se liderë të tjerë të Hamasit besohet të jenë të fshehur, “me gjasë thellë në rrjetin e tunelit të Hamasit” në Gaza.
Ai është zotuar se SHBA-ja do të ndihmonte Izraelin në kërkimin e tij të vazhdueshëm për udhëheqësit kryesorë të Hamasit, duke shtuar: “Drejtësia do të vijë edhe për ta”.