Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputetin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Islam Aliaj, me të cilin, ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se ndihet krenar me arritjet e Aliaj.
Kryeministri Kurti duke i uruar suksese në të gjitha angazhimet e tij, gjithashtu i ofroi mbështetjen e plotë në kauzën e përbashkët për mundësi të barabarta për të gjithë.
Deputeti Aliaj ka treguar për angazhimin e tij në kauzën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Ai shprehu vullnetin për të kontribuuar edhe në Kosovë.
“Kryeministri Kurti foli për angazhimin e Qeverisë për krijimin e kushteve të përshtatshme dhe gjithëpërfshirje në të gjitha fushat e jetës për personat me aftësi të kufizuar. Ai përmendi një ndër vendimet e vitit të parë të qeverisjes, që ishte shpallja e vitit 2022 “’Vit i personave me Aftësi te Kufizuara'”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Po ashti, Kurti ka përmendur punësimin e 250 asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta në shkolla dhe planet për punësimin e 500 sosh.
“Duke ritheksuar përkushtimin e Qeverisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve, u veҫua miratimi i Udhëzimit Administrativ për Listën e llojeve dhe pajisjeve ndihmesë, që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, krahas ndarjes së mjeteve për barnat që ipen falas nga lista esenciale”, thuhet tutje në njoftim.
Krahas rritjes së mbështetjes për Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe Federatën e Sportit për të Verbër, u potencua edhe mbështetja e veçantë për pjesëmarrjen në Lojërat Paralimpike Paris 2024, ku Republika e Kosovës do të shënojë pjesëmarrjen e parë historike në këto lojëra.
Lidhur me planet për të ardhmen, u theksua angazhimi i Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Bashkimin Evropian për hartimin e Strategjisë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar për 2024-2029.