Aria Bulliqi është një 11-vjeçare që ka fituar çmimin e parë në një garë në Vjenë me piano.
Ajo, në Radio Dukagjini, krahas angazhimeve ka treguar se si i’a del të argëtohet. “Unë arrij t’i bëj këto gjëra sepse e kam një orar që e vendosi”, ka thënë ajo.
Bulliqi ka thënë se interesimin për piano e kishte që e vogël, kur në moshën tre vjeçare prindërit i’a kishin bërë dhuratë këtë instrument dhe aty e kishin parë dashurinë e saj për pianon, derisa në moshën pesë vjeçare e kishin regjistruar në një kurs pianoje.
11-vjeçarja është shprehur se nuk e priste këtë çmim dhe se vetëm kishte konkurruar për të pasur përvojë në këto evente.
“Nuk e kam pritur vendin e parë, por kur e kuptova që e kam marrë këtë vend kam pasur shumë emocione dhe kam qenë shumë e lumtur”, ka thënë Bulliqi.
Më tej, ajo ka rrëfyer se ka marrë pjesë edhe në kompeticione tjera ku ka marrë çmime të ndryshme, e njëra ndër to është edhe vendi i tretë në Olimpiadën Botërore të Muzikës në Estoni.