Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimi i fundit mes dy kryenegociatorëve, atij të Kosovës dhe të Serbisë, në Bruksel.
Lajçak, për takimin e së martës ka thënë se ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe ranë dakord që të vazhdojnë diskutimin të hënën e ardhshme në Bruksel.
“Çfarë fillimi i ngarkuar i javës në Bruksel! Dje prita dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar se si të avancohet zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me dialogun, duke përfshirë ndikimin e vendimit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera.
Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe ne ramë dakord që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që palët pritet të paraqesin paraprakisht. Në të njëjtën kohë, takimi tregoi gjithashtu se zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe mënyrat shtesë se si të zyrtarizohet ajo do të duhet të adresohen në nivelin më të lartë në një takim të liderëve…”, ka shkruar ai.
Lajçak po ashtu ka shkruar lidhur me takimet e javës së kaluar në Prishtinë e Beograd.
Ai ka thënë se diskutimet janë përqendruar rreth çështjeve urgjente në agjendën e dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për diaogun, Miroslav Lajçak.
Lexo më shumë: Gjithçka nga takimi i kryenegociatorëve në Bruksel
Para takimit trepalësh, emisari i BE-së takoi veç e veç të dy kryenegociatorët.